Add Lyrics
  Add Poems
A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Eliona Qira, “Ishull I Vogël” Rrethuar Nga Komerçi


Choose star rating

Rating:  5 / Votes cast:  3
[30-03-2017]
Ajo ishte një nga surprizat në edicionin e fundit të “Këngës Magjike”. Pa diskutim, një nga ato rastet me të cilin rrëmbehesh që në sekondat e para. Melodi dhe interpretim krejt origjinal, të cilin e dëgjon, e ridëgjon dhe më pas pyet natyrshëm: Cila është kjo këngëtare?

Eliona është vetëm 18 vjeçe, e rritur ne Suedi, aty ku aktualisht jeton me binjaken e saj dhe prindërit struganë. Që e vogël ajo rritet duke studiuar piano, kitarë dhe pa diskutim duke shoqëruar meloditë e tyre me zërin e saj. Mbushesh me shpresë, me një entuziazëm shumë pozitiv kur dëgjon një këngëtare si Eliona, e cila, edhe pse jeton mes komerçit, varësisë ndaj milionave të klikimeve dhe këngëve që shtohen nga ora në orë, zgjedh të jetë thjesht vetvetja, të këndojë në harmoni të plotë me stilin e saj.



Kur dëgjon kënget e tua duket sikur shkon në një tjetër planet. Çfarë të bën t’i qëndrosh besnike stilit tënd muzikor?
Kur këndoj, unë shkeputem nga gjithçka që më rrethon. Ndihem tjetër njeri, ndaj gjithçka vjen krejt natyrshëm.

A do të bëje kompromis me shijet masive për të braktisur atë çfarë ti këndon?
Muzika ime nuk është aspak komerçiale. Një stil i veçantë që nuk këndohet apo dëgjohet në masë, unë e di këtë. Fakti që është ndryshe, të bën të jetosh një tjetër botë. E dëgjoj shpesh të ma thonë këtë ata që dëgjojnë këngët e mia. Për mua është shumë e rëndësishme që atë çka unë përjetoj në çdo këngë, ta përjetojnë edhe dëgjuesit e mi.



Është e vështirë për një këngëtare të ruajë origjinalitetin në këtë rrëmujë muzikore?
Nuk më intereson fare ajo çfarë propozohet në masë, e thënë ndryshe, dominuese në tregun aktual. Dua të kënaq vetëm ndjekësit e muzikës sime.

“S’më ka mua” është kënga jote më e fundit e sjellë edhe me nje videoklip. Si erdhi kjo këngë te ty?
Pas suksesit në Këngën Magjike vitin e kaluar, vendosa ta vijoj bashkëpunimin me kompozitorin Adrian Hila. Ai ka punuar jo vetëm me melodinë, por edhe tekstin e këngës. S’mund të lë pa falenderuar edhe realizuesin e klipit, Ernis Çili.

Në kanalin tënd në YouTube, ka edhe cover-a. Mendon se janë të vlefshme si një promovim muzikor?
Mundet, por unë më së shumti i krijoj gjatë kohës sime të lirë. Nuk shkëputem dot nga muzika, edhe në atë kohë që mbetet e lirë nga shkolla apo impenjime të tjera të ditës, dua t’ia dedikoj asaj. Kështu marrin jetë edhe cover-at muzikorë në YouTube.



Si është e mbushur dita jote në Suedi?
Vijoj studimet në vitin e fundit në gjimnazin muzikor në Malmö. Mësimet më marrin 80 për qind të kohës. Jam duke menduar edhe për universitetin, duke qenë se jam në mbyllje të gjimnazit.

Ka ndonjë projekt për përfshirjen në muzikën suedeze?
Së shpejti vjen edhe versioni anglisht i këngës shqiptare që unë kam publikuar këto ditë. Do të lançohet në fillim në Suedi e më pas synojmë akoma më shumë. Le të presim edhe pak.

Struga, Tirana, Malmo… I ndan dot?
Strugën dhe Tiranën i mbaj gjithmonë në zemër. Në Suedi ndihem çdo ditë krenare për gjakun që rrjedh në venat e mia.
 (konica.al)

      Eliona Qira - Don`t Let Me Down [Teksti dhe Klipi]




lyrics.al © 2007 - 2017