Add Lyrics
  Add Poems
A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #


Lirim Hoxha: “Kam Krijuar Profil Të Këngëtarit Tradicional”


Choose star rating

Rating:  5 / Votes cast:  14
[12-02-2017]
Që ditën e parë që nisi të këndojë, talenti i tij njohu vetëm suksese dhe u prit me duartrokitje. Lirim Hoxha, këngëtari ynë dibran ëshëtë i tillë sepse di të çmojë vlerat kombëtare, të cilat i promovon në paraqitjet e tij skenike. Në bashkëbisedimin e mëposhtëm do të njihni shumëçka të padëgjuar për të!...

Teksteshqip: Lirim, na thoni ku keni lindur dhe si u dallua talenti juaj muzikor?

Lirim Hoxha: Unë kam lindur në fshatin Grazhdan të Maqellarës, rrethi Dibër. Duhet të kem qenë i vogël fare kur është dalluar talenti im për muzikë, por isha në shkollën tetëvjeçare kur mësuesja ime e muzikës e pikasi prirjen time dhe u përpoq vazhdimisht ta vinte në pah, si në aktivitetet shkollore, ashtu dhe gjatë zhvillimit të orëve të mësimit.

Teksteshqip: Si u prit nga shoqëria e ngushtë ky talent?

Lirim Hoxha: Shokët e mi të fëmijërisë kanë qenë gjithmonë mbështetje në këtë aspekt, madje ka qenë edhe njëfarë argëtimi i vazhdueshëm për ta ky talenti im për të kënduar, ndaj këndonim sa herë na jepej mundësia.



Teksteshqip: Kishit ndonjë model kur nisët karrierën ?

Lirim Hoxha: Në fakt, është një kushëri i imi me emrin Hilmi Hoxha, që ka qenë në kulmin e tij në kohën kur unë isha vetëm fëmijë dhe e kisha përqafuar dashurinë për këngën. Hilmiu është aktivizuar në Shtëpinë e Kulturës së Peshkopisë për shumë vite, madje ka marrë pjesë në një nga festivalet në RTSh-së me muzikë të lehtë. Them që ka qenë një model shumë i mirë për mua, të paktën në fillimet e mia.

Teksteshqip: Ju kujtohet cila ka qenë kënga e parë që keni rregjistruar? Me kë keni bashkëpunuar fillimisht?

Lirim Hoxha: Pata fatin që në vitin 1998 të shpërngulem me banim në qytetin e Peshkopisë. Aty u aktivizova shumë shpejt me Estradën Profesioniste të këtij qyteti, ku shpejt e preka skenën dhe fillova të marr duartrokitjet e ngrohta të publikut dibran. Aty rashë në kontakt me figura të muzikës dibrane si, kompozitori i talentuar Përparim Tomçini dhe mjeshtri Imer Seferi. Ishte pikërisht i talentuari Perparim Tomçini bashkëpunëtori im i parë në fushën e krijimit. Në vitin 2002 me të kam realizuar një album të plotë me këngë dibrane, shumica kompozime të mirëfillta, e një pjesë përpunime. Madje, me njërën prej këngëve të këtij albumi "Bona brof e rash në mal" jam prezantuar në Festivalin e Këngës Qytetare të mbajtur po atë vit në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve.

Teksteshqip: Po pas shpërnguljes në Tiranë, si evoluan projektet muzikore tuajat?

Lirim Hoxha: Ardhja ime në Tiranë në vitin 2002 më përballi me një realitet tjetër, të ndryshëm nga ai dibran. Në përshtatje të rrethanave të reja që ofronte tregu muzikor, fillova të realizoj këngë solo, të shoqëruara edhe me klipe. Në këtë mënyrë kam vepruar që nga ajo kohë e në vazhdim.



Teksteshqip: Përveç muzikës, keni profesion tjetër?

Lirim Hoxha: Pa dëshirën time kam kryer fakultetin "Gjeologji-Miniera" në Tiranë, në vitet 1991-1996. Por ëndrra ime ne sirtar mbetej ndjekja e studimeve për muzikë, gjë të cilën me ndihmën e Zotit e bëra realitet në vitet 2009 - 2014 ku u diplomova në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën kanto (solo këndim). Pasion tjetër janë edhe gjuhët e huaja (e zotëroj shumë mirë anglishten që nga viti 1995).

Teksteshqip: Janë në numër të madh këngët që sot ju identifikoheni me to: "Ne e marrim nusen", "Beqarisë ia grise këmishën", "Moj dibrane lulja e blinit", etj. Nga kjo karrierë gati dy dekadëshe, cili mendoni se është çelësi i suksesit?

Lirim Hoxha: Besoj se çelësi i suksesit tim duhet të jetë përpjekja për të qenë vetvetja, pa imituar dikë tjetër. E kam shumë të qartë që në art ka shumë rëndësi individualiteti, d.m.th. të qenit i veçantë, i ndryshëm nga të tjerët. Gjithashtu jam përpjekur të mos ndikohem shumë nga trendet muzikore të tipit të muzikës komerciale, si rrjedhim besoj kam krijuar një profil të këngëtarit të muzikës tradicionale.

Teksteshqip: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të zakonshëm? Pse?

Lirim Hoxha: Kohët e fundit kam patur disa bashkëpunime të frytshme me kompozitorin e shquar Edmond Zhulali, ndërsa përsa i përket tekstit të këngëve, kam bashkëpunuar me Jorgo Papingjin, emër shumë i njohur i kësaj fushe. Zgjedhja e bashkëpunëtorëve është shumë e rëndësishme për realizimin e projekteve muzikore, cilësore. Mund të përmend që një pjesë e teksteve mbajnë autorësinë time.



Teksteshqip: Sa jeni i angazhuar nëpër mbrëmje e koncerte?

Lirim Hoxha: Në Tiranë jam i angazhuar në çdo fundjavë, duke performuar muzikë live në restorante te ndryshme. Po ashtu herë pas here jam prezent ne Kosovë e Maqedoni, por edhe në vende të tjera ku ka shqiptarë (Itali,Gjermani etj.).

Teksteshqip: Po një ditë të zakonshme, si e kaloni?

Lirim Hoxha: Paradite shkoj tek Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore në prova. Pastaj, ndonjë kafe pune me kolegë dhe artistë, më vonë i përkushtohem familjes sime.

Teksteshqip: Jeni duke punuarr rreth ndonjë kënge të re, pse jo edhe ndonjë album?!

Lirim Hoxha: Në planet e mia të afërta kam një duet me një nga këngëtaret e njohura të Shqipërisë së Mesme, por kam qejf që kjo të jetë surprizë. Teksti është i përfunduar e meqë ra fjala është tekst "dashnie" (qesh).

Teksteshqip: Lirim, ne ju falenderojmë për kohën që ndatë për portalin tonë www.teksteSHQIP.com Ç'dëshironi të shtoni për fund?

Lirim Hoxha: Ju falenderoj për intervistën që më bëtë. U ndjeva shumë mirë me ju. Nga zemra ju uroj suksese të mëtejshme!
 (Arsim Kolari - TeksteShqip.com)





lyrics.al © 2007 - 2017