Add Lyrics
  Add Poems
A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Më Thonë Se Shoh Përtej...

Më thonë se shoh përtej,
edhe pse gjë prej gjëje s'arrij të shoh as këtej.
Shoh dhe nuk e shoh dritën
që veç ngjyrën e mendimeve tona ka!
Ka diçka prej bishe, dhe drita, imzot:
Drita, koka çastesh ndrit e rrokullis!
Askush, asnjëherë, s'do t'arrijë ta njohë,
ngjyrën e vërtetë të dritës,
as shijen e vërtetë të mëkatit lulor!
Gjithë ç’arrijmë të dijmë për zemrat,
është përherë pak!
Te gratë, gjithnjë ka diçka prej ardhjeje,
dhe shumëçka prej pritjeje!
Kam zgjedhur të mos më besojnë, imzot:
I dozuar dhe i dyzuar frymoj, frymën time të kotë.
Më mrekullon kujtimi, se nuk kujtoj dot!
Shkruaj, e përderisa shkruaj,
ka gjasë të jem, sadopak i gjallë.
Arrij ta marr vesh, se jeta është veç një vegim i bukur.
Arrij të kuptoj, se fjala është vetë liria e lirisë.
Arrij të kuptoj, se drita flet edhe kur nuk flet.
Arrij të kuptoj, se mbi vazhdimin u mbështetka bota.
Arrij të kuptoj se fshehja e ndjenjës,
mangësi e madhërishme është.
Arrij të kuptoj, se po s'e njohe errësirën,
s'të shkon ndërmend ta duash dritën!
Arrij të kuptoj, se mbi të gjitha, verbëria më pëlqen.
Arrij të kuptoj se nuk më mungon drita,
por sytë i kam të munguar.
Arrij të kuptoj, se heshtjen në heshtje duhet lënë.
Arrij të kuptoj se bëj mirë, kur të bardhës, e zezë i them.
Arrij të kuptoj se lumturi e përkryer qenka,
të ndjehesh i mundur.
Arrij të kuptoj se jam,
dhe se çështje verbërie është mendimi se nuk jam.
Arrij të kuptoj se, të ndjehesh sadopak i gjallë,
është çështje vetëbesimi.
Arrij të kuptoj se atdheu i lirisë është rruga,
dhe se arti po nga rruga vjen.
Arrij të kuptoj se, gjërat e rralla,
as nuk na mjaftojnë, as nuk na teprojnë.
Arrij të kuptoj se, edhe koti kot nuk është,
edhe kot kur është.
Arrij të kuptoj se, fati luan me mua pabesisht.
Arrij të kuptoj se, misioni i jetës
është t’i japë shpirt vetes, gjithçkasë dhe asgjësë.
Arrij të kuptoj se, tashmë,
në rehatinë time të parehatshme ndihem më rehat.
Arrij të kuptoj se, njerëzve me mend
mund t’u teprojnë veshët.
Arrij të kuptoj se, dashuria është ujë
dhe ne jemi veç enët me ujë mbushur.
Arrrij të kuptoj se nuk shoh përtej,
dhe se gjë prej gjëje s'arrij të shoh as këtej.
Arrrij të kuptoj se, gjithnjë gjendet një dreq i bukur,
që dreqin e bukur e zgjon brenda nesh!
Arrrij të kuptoj,
se jeta qenka një zhgënjim i bukur,
dhe meditimi qenka
një mundësi e mirë për mbijetim.
Oh, imzot,
ajo, me masë deti i ka,
mend, e flokë, e gjithçka tjetër!
Mos vdis kurrë,
i them,
së paku, për mua!...

Choose star rating

Rating:  5 / Votes cast:  1
Disqus Comments




lyrics.al © 2007 - 2017