Add Lyrics
  Add Poems
A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #


Reja

I vogël qesh,
kur së pari e pashë
atë re.

Lojën e elemisë e luanim ne fëmijët,
kur këmbët m'u ndalën,
e rashë në kokër shpine,
e sytë e mi,
vetiu,
u ngjitën përqiell.

Atë ditë, qielli qe i përhimtë,
dhe ajo re, qëndronte, shumë lart në qiell.
Si një trandafil i bardhë i bukur,
qëndronte atje lart.

Qe diç që m'u ngulit në kujtesë,
për aq sa, ditë për ditë,
e kërkoja me ngulm,
me sytë e mi prej fëmije.

Dhe e gjeja,
për ditë
n'atë formë të trandafilit të bardhë.

Një ditë prej ditësh,
se si m'u duk se reja kishte zbritur pak më poshtë,
se si m'u duk se ishte rritur paksa.

Ditë për ditë rritej,
e poshtë e më poshtë zbriste,
ai trandafil i bardhë.

Katërmbëdhjetë vjeç,
kur im gjysh ndjesëpastë,
më dërgoi në Prishtinë për shkollë,
sikur nguroja të shkoj.
Kisha frikë, se atje do mbesja,
pa trandafilin e bardhë prej reje.
Por e gjeta edhe atje, renë,
mbi qiellin që skuqej,
pasditesh, mbi Prishtinë.

Nën qiellin e larë,
mbi Tauk Bahçe,
e gjeta.

Përgjatë jete,
punoja e udhëtoja shumëkah.
Dhe gjithkah shkoja,
renë e gjeja po në qiell,
të bardhë dhe në formë trandafili,
si gjithnjë.

Veçse e gjeja,
përditë e më të madhe,
përditë e më poshtë.

Dje, vërejta se reja kishte zbritur
shumë më poshtë.
Sot, edhe më poshtë se dje.

Tashmë e di se reja,
nesër do jetë bërë edhe më e madhe,
e do zbresë edhe më poshtë se sot.

Pasnesër do jetë,
edhe më poshtë se nesër.

Një ditë prej ditësh
(cila do jetë ajo ditë?...),
reja e trandafiltë,
e bardhë dhe e madhe,
mbi kokën time do ulet.

Me gjasë,
do jetë ajo, dita,
kur trupi im do mpaket,
dhe shpirti im, do ta festojë,
çastin e ringjalljes…


Choose star rating

Rating:  5 / Votes cast:  1
Disqus Comments




lyrics.al © 2007 - 2017